Midis Hyrremit dhe “Zhozit”!
Gilman Bakalli
Darka e së premtes që kaloi ishte një darkë dilemash të forta. Në njërin stacion televiziv mund të shihje “Zhozin” sipas Arian Çanit të Lirë, kurse në gilman bakallinjë stacion tjetër shfaqej Hyrremi i Sulejmanit të Madhërishëm. Në njërin ekran një gazetar i lirë nga skrupujt e seriozitetit televiziv, ngacmon politikanen Jozefinë, e cila ka kohë që lufton me seriozitet për ta ruajtur pushtetin e politikanes pranë Njeriut më të fuqishëm të Shqipërisë. Kurse në ekranin tjetër, të çliruara nga skrupujt që u dikton feja e tyre myslimane, një tufë grash i thurin intriga pas intrigash sulltaneshë Hyrremit, jeta e së cilës është kthyer në një zinxhir të pafundëm strategjish mbrojtëse për ta mbajtur pushtetin si gruaja e Sulltanit më të fuqishëm në Botë. Ku ta shkëpus dorën nga telekomanda? Tek AS apo te Klan? Te Zhozi, përballë kurthit të vazhdueshëm të pyetjeve të liga të Çanit me fytyrë naive apo te Hyrremi në kurthin e vazhdueshëm të intrigave të grave me fytyra të pastra engjëllore. Te Zhozi që s’e fsheh dot dashurinë për pushtet dhe adhurimin për Njeriun më të fuqishëm të Shqipërisë, apo te Hyrremi që shkel mbi këdo që orvatet të hyjë mes saj dhe Sulltanit më të fuqishëm të Botës? E vështirë të zgjidhet kjo dilemë! Si është ajo fjalia hermetike në vargjet e një poeti romak? “The fox knows many things, but the hedgehog knows One big thing”! (Dhelpra di shumë gjëra, kurse iriqi di vetëm NJË gjë të madhe!). Pavarësisht dinakërive të shumta, dhelpra humbet përherë përballë strategjisë mbrojtëse të iriqit (e vetmja gjë që ai di). Në Zonën e Lirë grackat gazetareske, shikimet cinike e perverse të Arjan Çanit nuk funksionojnë përballë strategjisë mbrojtëse të Zhozit, politikanes që e do me çdo kusht vendin pranë Njeriut më të fuqishëm të Shqipërisë. Në Oborrin e Sulltanit, të gjitha dredhitë dhe intrigat femërore, janë të pafuqishme para dëshirës së Hyrremit për të qenë përjetësisht pranë Burrit më të fuqishëm të Botës. Gazetarët dhe gratë e haremit të Sulltanit dinë shumë gjëra, por Zhozi dhe Hyrremi dinë mirë ONE BIG THING: si të rrinë pranë të pushtetshmit!
Dilema e së premtes ishte e fortë. Por vetëm në dukje ama. Thelbi i mesazheve që vinin nga të dy ekranet ishte i njëjtë: kudo në botë, kurdoherë ka pasur dhe do të ketë femra, bionde a brune, të cilat dinë mirë vetëm një gjë të madhe: si ta ruajnë me çdo çmim pushtetin!
http://www.mapo.al/2013/02/26/midis-...it-dhe-zhozit/
Krijoni Kontakt